PHOTOTHERAPEUTISCHE KERATEKTOMIE (PTK)

INDIKACIONET PËR PTK

PTK është trajtim sipërfaqësor i kornesë duke përdorur laserin excimer, i cili nuk ndryshon fuqinë refraktive të syrit.

PTK-ja është një shërbim që sigurohet nga kompanitë private të sigurimeve shëndetësore dhe që mund të përdoret për rastet klinike të mëposhtme:

  • Erozionet rekurrente (të përsëritura) të kornesë
  • Plagët sipërfaqësore të kornesë
  • Distrofia e kornesë
  • Degjenerimi i kornesë
  • Parregullsi sipërfaqësore të kornesë

Megjithatë, indikacioni për PTK është i kufizuar në një numër kërkesash eksplicite dhe duhet të shqyrtohet individualisht në secilin rast. Vetëm kirurgët e kualifikuar dhe me përvojë, aparatura dhe dhoma operative e të cilëve plotëson kushtet mund të ofrojnë këtë trajtim.

SHKAQET E PROBLEMEVE SIPËRFAQËSORE TË KORNESË

Problemi më i zakonshëm i kornesë është erozioni, gërryerje e shtresës mbrojtëse të kornesë. I porsalinduri mund të gërvishë syrin e nënës, trupat e huaj apo aksidentet mund të sjellin deri te gërryerjet e vogla. Këto defekte sipërfaqësore zakonisht shërohen me ndihmën e yndyrave dhe pikave, por ndonjëherë mbeten defekte ose opacitete. Inflamacionet ose infeksionet në fillim shkaktojnë vetëm probleme sipërfaqësore, por më vonë mund të çojnë në ulçera dhe më pas në ndryshime me cikatrikse. Sëmundjet e kornesë si distrofia ose degjenerimi gjithashtu mund të përfundojnë me opacitete. Një defekt i përhershëm ose opaciteti në qendër të kornesë kufizon të pamurit dhe duhet të largohet nëse ka mundësi.

QËLLIMI I TRAJTIMIT

Duke hequr epitelin e ndryshuar patologjik në rastet e përshkruara më lartë, mundësohet largimi i shënjave ose opaciteteve sipërfaqësore dhe bëhet zbutja e strukturës së indit lidhor me anë të laserit eksimer kurse në sipërfaqen e kornesë mund të formohet sërish epiteli i shëndetshëm dhe i pastër. Cilësia e jetës dhe shikimi mund të përmirësohen jashtëzakonisht shumë.

KRYERJA E PTK OSE TRANS-PTK

Pas anestezionit lokal të syrit me pika, qelizat epiteliale hiqen me thikë tek procedura PTK; në Trans PTK ky hap realizohet duke përdorur një laser excimer. Laseri excimer më pas largon një shtresë të përcaktuar saktë të indit lidhorë për të eleminuar shënjat ose opacitetet sipërfaqësore. Procedura përfundon me pastrimin e kornesë dhe vendosjen e një lente kontakti terapeutike e cila duhet të mbahet për tre deri në pesë ditë për mbrojtje. Përveç kësaj, jepen pika anti-inflamatore për sy dhe nëse ka nevojë edhe ilaçe kundër dhimbjeve.

PROCESI I SHËRIMIT

Qelizat epiteliale të shtresës më sipërfaqësore të kornesë rigjenerohen për tre deri në pesë ditë. Megjithatë, epiteli rigjenerohet plotësisht vetëm pas gjashtë deri në tetë javë. Syri është i dhimbshëm në fillim dhe më vonë ndihet shpesh si i thatë, ose ka një ndjesi të trupit të huaj që mund të zgjasë për disa javë por kjo mund të lehtësohet me përdorim të pikave për sy. Në shumicën e rasteve shikimi është përkohësisht jostabil andaj kjo kufizon ndjeshëm pjesëmarrjen në trafikun rrugor. Në raste të rralla, fuqia refraktive e syrit për një kohë të gjatë ndryshon pak, por kjo mund të kompensohet me një korrigjim të ri.