KATARAKTA
EKZAMINIMI DHE TRAJTIMI NË DEmed - KGJS

Katarakta është shkaktari i më shumë se 40 për qind të të gjitha gabimeve të rënda refraktive në mbarë botën. Kataraktet e lidhura me moshën, të cilat mund të shfaqen nga mosha 60 vjeç janë forma më e zakonshme. Meqenëse kjo sëmundje e syrit shfaqet kaq shpesh, procedura për të përmirësuar shikimin duke larguar kataraktën është operacioni më i zakonshëm i syrit.

KATARAKTA

ÇKA SAKTËSISHT ËSHTË KATARAKTA?

Katarakta e njohur si “Perdja e syrit” është një mjegullim i thjerrëzës së syrit që çon në uljen e tejdukshmërisë së saj, duke e pakësuar kështu në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e të pamurit. Në kohët e lashta, njerëzit besonin se verbëria e shkaktuar nga kjo sëmundje vie nga substancat që rrjedhin prapa bebëzës. Bazuar në këtë besim, termi ” katarakt e ka origjinën nga greqishtja e lashtë, katarráktēs, që nënkupton ujvarë ose “rënie”.

Mjegullimi i thjerrëzes që asocon në katarakt, kryesisht kalon pa u vënë re në fillim dhe gradualisht pastaj bëhet më e rëndë.

Ne mund të shohim mjedisin tonë përmes dritës që hyn në sy përmes thjerrëzes. Kjo do të thotë se mjegullimi i shtuar i thjerrëzes do të rezultoj në dobësim të shikimit. Prandaj, katarakta është një sëmundje që e dobëson jashtëzakonisht shikimin, por nuk është një sëmundje e rrezikshme.

ÇFARË I SHKAKTON KATARAKTET?

Në këtë sëmundje të syrit, struktura e thjerrëzes ndryshon dhe kristalizohet duke shkaktuar mjegullim të saj. Drita që hyn në sy nuk mund të përthyhet më në vijë të drejtë andaj shpërndahet. Kjo krijon një imazh të paqartë në retinë.

Shkaqet janë të ndryshme. Ato mund të jenë ose të lindura ose të shkaktohen nga sëmundje të tilla si diabeti ose neurodermatiti. Përveç kësaj, ndikimet e jashtme si drita ultraviolet, konsumimi i rëndë i alkoolit, medikamente si p.sh. kortisoni dhe lëndimet e syrit mund të rezultojnë në katarakt.

LLOJET E NDRYSHME TË KATARAKTEVE

Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të kataraktave:

  • Katarakta kortikale (cataracta corticalis)
  • Katarakta subkapsulare të pasme (cataracta subcapsularis posterior)
  • Katarakta nukleare (cataracta nuclearis)

Secili lloj prek pjesë të ndryshme të thjerrëzës e cila përbëhet nga korteksi dhe bërthama.

Kataraktet kortikale formësohen në skajin e jashtëm të thjerrëzës suaj. Tek ky lloj, shikimi mund të përmirësohet për një kohë të caktuar nëse mbesin disa zona të qarta në sy. Megjithatë, përfundimisht katarakta kortikale do të shkaktoj probleme si në shikimin e afërt ashtu edhe në largësi.

Kataraktet subkapsulare të pasme shfaqen më shpejt se kataraktet e tjera. Një shtresë e hollë subkapsulare lëngu mblidhet nën pjesën e pasme të thjerrëzës. Kjo ndikon në shikimin nga afër, duke e bërë më të vështirë për pacientët që ti shohin objektet në afërsi sesa ato në distancë.

Në rastin e llojit të tretë, që quhen katarakt nukleare, bërthama e thjerrëzës bëhet gradualisht më e fortë. Ndër të tjera, ky lloj shkaktohet thjeshtë nga pleqëria; manifestohet si shkurtëpamësi me rritjen e fuqisë refraktive të thjerrëzës së ngurtësuar.

SI NDIKON KATARAKTA NË SHIKIMIN TUAJ?

Mjegullimi gjithnjë e më i madh i thjerrëzes së syrit ndikon në përkeqësim të shikimit.

Kataraktet mund të krahasohen me një perde të dendur gjithnjë e më të trashë që mbulon gjithçka. Shpesh, ato shoqërohen nga rritja e ndjeshmërisë ndaj shkëlqimit, ndjeshmëria e reduktuar e kontrastit dhe herë pas here nga perceptimi i dëmtuar i ngjyrave. Gjithashtu, shikimi i dyfishtë, drita e ndezur rreth objekteve, shikimi i kufizuar hapësinor ose përshtatja e reduktuar ndaj dritës dhe errësirës mund të jenë simptoma të lidhura me kataraktën.

KRAHASIM VIZUAL KATARAKTA

Një përkeqësim ose zhvillim i miopisë ose ndryshime në fuqinë refractive në intervale më të shkurtra se zakonisht mund të tregoj për zhvillimin e kataraktës. Shenjat që shfaqen varen nga stadi i sëmundjes dhe cila zonë e thjerrëzës është prekur. Në fazat e vona, katarakta mund të dërgoj në verbëri, sepse thjerrëzat e syrit janë bërë plotësisht të errëta dhe të papërshkueshme nga drita.

Sa shpejt zhvillohet një katarakt dhe cilat dëmtime mund të ndodhin, ndryshojnë nga rasti në rast.

SI DIAGONOSTOHET KATARAKTA?

Për të zbuluar kataraktën sa më herët që të jetë e mundur, ne rekomandojmë kontrolla të rregullta të syve që nga mosha 40 vjeçare. Duke qenë se thjerrëza ndodhet në pjesën e përparme të syrit, oftalmologu është në gjendje të kontrollojë sytë tuaj për katarakt në një procedurë pa dhimbje duke përdorur metodat e njohura (testi i shikimit, slit lampa, biomikroskopi).

Një tjetër metodë ekzaminimi është testi Brückner. Në këtë rast, syri ndriçohet me oftalmoskop direkt. Një pjesë e dritës reflektohet nga retina, ndërsa pjesët e mjegulluara të lensit duken si njolla të errëta.

SI TRAJTOHEN KATARAKTA SOT?

Duke qenë se aktualisht nuk ka ilaçe për shërimin e kataraktave, ato duhet të trajtohen me metodë kirurgjike. Në këtë rast, thjerrëza e turbullt zëvendësohet me një lente artificiale transparente (thjerrëza intraokulare). Në Gjermani, kjo procedurë kryhet më shumë se 800 000 herë në vit. Ky operacion kryhet kryesisht pa dhimbje dhe praktikisht shikimi do të rikthehet duke i lejuar pacientët të jenë përsëri aktiv.

Këtu mund të gjeni informacione të mëtejshme mbi metodat e trajtimit të kataraktave në Klinikën Gjermane të Syrit.