RETINOPATIA
DIABETIKE
Diabeti(diabeti mellitus) është një sëmundje tinëzare, i cili nëse nuk menaxhohet në mënyrën e duhur, në rastet më të rënda, prekë edhe sytë. Diabeti dëmton në mënyrë të parikthyeshme enët e gjakut të retinës duke cuar në shkatërrimin e mureve të tyre.
Retinopatia diabetike është një sëmundje mikroangiopatike e retinës, e cila atakon pothuajse të gjithë të prekurit me diabet, në një moment gjatë jetës së tyre.Faktorët e rrezikut për dëmtimin e retinës janë: nivelet e larta të sheqerit në gjak, presioni i lartë i gjakut dhe çrregullimet e metabolizmit të lipideve. Në këtë rast dy komplikimet kryesore të sëmundjes mund të jenë kërcënuese për shikimin: edema makulare diabetike dhe retinopatia diabetike proliferative.
SIMPTOMAT E RETINOPATISË DIABETIKE
Shpesh, retinopatia diabetike vërehet me vështirësi sepse çrregullimet e të pamurit, si: shikimi i paqartë ose i turbulltë shfaqen në faza të vonshme të sëmundjes.Nëse vërehen gjakderdhje në trupin qelqor dhe personi i prekur percepton pika të zeza në fushën e të pamurit (i ashtuquajturi shi i blozës) menjëherë duhet të vizitohet okulisti. Shiu i blozës dhe ndezjet e dritës mund të jenë gjithashtu simptoma të shkëputjes së retinës, e cila mund të çojë në verbëri të plotë.
SI TRAJTOHET RETINOPATIA DIABETIKE?
Nëse retinopatia diabetike nuk ka përparuar shumë, trajtimi i retinës me laser, shpesh mund të parandalojë përparimin e mëtejshëm të ndryshimeve vaskulare. Trajtimi me laser kryhet nën anestezi lokale, me pika. Nëse ka ndryshime qëndrore të retinës, të shoqëruara me ënjtje (edemë makulare), në varësi të ndryshimeve të pranishme, injeksionet e përsëritura medikamentoze në zgavrën qelqore të syrit poashtu janë një opsion trajtimi premtues, përveç trajtimit me laser. Injeksionet kryhen nën anestezi lokale me pika të syrit në kushte sterile në sallë operative.
PARANDALIMI KUNDËR RETINOPATISË DIABETIKE
Meqenëse, sëmundja zakonisht diagnostikohet në faza të vonshme të saj, është shumë e rëndësishme që të bëhen kontrolle të rregullta të syve te personat diabetikë, të paktën një herë në vit. Dhe nëse është e mundur, rekomandohet pjesëmarrja në një “Program të Menaxhimit të Sëmundjeve” (DMP). Sytë ekzaminohen me bebëza të zgjeruara. Nëse retinopatia diabetike është tashmë e pranishme, është e nevojshme të kryhet angiografia dixhitale fluoreshente (ekzaminimi me ngjyra) dhe nëse është e nevojshme, një imazh i shtresave së retinës (tomografia koherente optike/OCT).